Kronikë

Në dy lokacione në Prishtinë policia has në trafikim me qenie njerëzore, ishin shtetas të Shqipërisë

Policia e Kosovës, gjegjësisht Sektori Qendror për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, të përkrahur nga zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale-Prishtinë, dje ka kryer një operacion në kryeqytet, ku ka hasur në trafikim me qenie njerëzore.

Policia thotë se me urdhër të gjykatës kanë kontrolluar dy lokacione (shtëpi) në Prishtinë, me qëllim të verifikimit të informacioneve se në ato shtëpi qëndrojnë disa shtetas të huaj, të cilët mund të ishin viktima potenciale të trafikimit me qenie njerëzore.

“Policia, në ato dy lokacione ka hasur në 26 persona, prej tyre 13 fëmijë, të cilët ishin kryesisht në lidhje familjare dhe vinin nga Shqipëria”, thuhet në njoftim.

Personat në ato dy lokacione, janë trajtuar nga zyrtarë policorë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj. Të njëjtit, përmes PKK Vërmicë, janë kthyer në Shqipëri.