Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Ndalohet e më pas lirohet gazetarja e KoSSevit, Tatjana Llazareviq

Gazetarja e portalit KoSSev në veri të Mitrovicës, Tatjana Llazareviq, është ndaluar sot nga policia në veri, sa ishte në detyrë, e më pas është liruar, për shkak të, siç thotë policia, mos respektimit të masës së kufizimit të lëvizjes.

KOHA ka kontaktuar me Milica Andriq-Rakiq, po ashtu gazetare në Kossev, e cila e ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se ajo kishte dalë për një storie në Zveçan. Më pas, ajo konfirmoi se pas intervistimit është liruar.

“Tatjana Lazareviq është ndaluar sot rreth orës 14:00, në rrugën që lidh Mitrovicën me Zveçanin. Ajo ishte nisur të bëjë një storie për shtëpinë e shëndetit në Zveçan. Ajo kur është ndaluar, ua ka treguar policëve ID—në dhe në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, gazetarët kanë të drejtë të lëvizin në çdo kohë. Por meqë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, ndalohet lëvizja pas orës 12:00, ajo është ndaluar. Ajo është intervistuar e më pas është liruar. Tash është në shtëpi”, ka thënë për KOHËN, Milica Andriq-Rakiq nga portali Kossev.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.

"Gazetarja është arrestuar për shkak të mos respektimit të masës së kufizimit të lëvizjes", ka thënë shkurt Radoviq për kp.

Kujtojmë se dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.