Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Ndalohen për 48 orë pesë persona për posedim të narkotikëve në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personat me inicialet, M.R., I.V., L.S., A.B., dhe E.B., pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas njoftimit, në këtë çështje penale, prokurori i rastit ka urdhëruar masat teknike të hetimit dhe vëzhgimit dhe gjatë zbatimit të tyre janë siguruar prova për të cilat dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale të lartcekur.

“Po ashtu, sipas urdhëresës së prokurorit të rastit, me aprovim të gjykatës kompetente dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës është realizuar aksioni në pesë lokacione, me ç’ rast janë sekuestruar 30.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 1.651.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete me targa vendore, para të gatshme 733.65 euro, një shufër metalike dhe katër peshore”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit e lartcekur ndodhen nën masën e ndalimit 48 orësh, si dhe ndaj të njëjtëve prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në gjykatën kompetente.​