Kronikë

Murseli deklarohet i pafajshëm: Nëse vërtetohen pretendimet, kërkoj burgim të përjetshëm për veten

Naim Murseli

Foto: Driton Paçarada

Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj, teksa është deklaruar i pafajshëm për akuzat, ka thënë se po që se vërtetohet aktakuza ndaj tij, “atëherë ai vetë do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm”.

Të akuzuarit tjerë, Granit Plava u mbrojt në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës. Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues kërkoi që babai i Ademajt të lirojë sallën, meqë do të jetë edhe dëshmitar në rast.

Në fjalën hyrëse, prokurorja Javorka Perlinçeviq, ka thënë se Prokuroria ka mbështetur dyshimin në numër të madh të provave. Ajo ka thënë se pos dëshmive të ofruara, e rëndësishme do të jetë edhe deklarata e familjes së Liridona Ademajt. Si deklaratë të rëndësishme e ka përmendur edhe dëshminë e ekspertit Naim Uka e të dëshmitarëve të tjerë.

Ndërkaq Leutrim Syla, avokat i familjes Ademaj, ka thënë se gjyqi do t’u japë përgjigje të gjitha dilemave të ngritura teksa ka falënderuar Tom Dodajn që ka pranuar fajësinë.

Ndërkaq Leonard Ademaj, përfaqësues i familjes, ka thënë se qëndron në tërësi me fjalën hyrëse të prokurorisë dhe avokatit Syla.

Murselit do t'i bëhet ekzaminim psikiatrik

Teuta Zhinipotoku, avokatja e Naim Murselit, ka thënë se kërkesë e mbrojtjes ka qenë që Murselit t’i bëhet ekzaminim i statusit mendor, por se sipas saj s’ka pasur përgjigje nga Prokuroria a Gjykata.

“Një prej kërkesave nga pala mbrojtëse dhe atë para ngritjes së aktakuzës, ka qenë parashtresa që i pandehuri Naim Murseli të dërgohet në ekzaminim të statusit mendor, dhe për këtë kërkesë nuk kemi pranuar përgjigje nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës. A është në gjendje i njëjti ta përcjellë rrjedhën e shqyrtimeve gjyqësore, të konsultohet me mbrojtësit e tij në shqyrtimet që do të mbahen në këtë çështje penalo-juridike? Konsiderojmë se kur të arrihet sigurimi i kësaj prove, që do ta bëjë grupi i ekspertëve pranë QKUK-së, Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës dhe pas ekzaminimit të të pandehurit, varësisht nga gjetjet, të vazhdohet rreth procesimit të kësaj çështjeje. Ky proces kërkon maturi e paanshmëri. Pala mbrojtëse nuk kërkon trajtim të veçantë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e trupit gjykues ka thënë megjithatë se nuk ka pranuar kërkesë të tillë nga avokatja Zhinipotoku.

Prokurorja ka bërë të ditur se kjo kërkesë i ishte bërë dhe se këtë e ka kërkuar nga gjykatësja, por se më 18 nëntor 2024 ajo ka refuzuar për shkak të mungesës së provave mjekësore që mbështesin kërkesën.

Pas kësaj, u mbajt një konsultë dhe u pranua që Murselit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Ndrecë Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, ka thënë se nuk ka asnjë provë që vërteton praninë e të pandehurit që ai mbron.

“Prokuroria i është referuar disa provave. Këto prova nuk vërtetojnë fajësinë e të pandehurit Kushtrim e këto prova do ta vërtetojnë ndodhinë e një incidenti. Do të vërtetojnë mënyrën e vdekjes, cila plagë ka qenë vdekjeprurëse, por jo cili ka qenë kryerësi”, ka thënë ai.

E Skënder Gojani, avokat i Granit Plavës, ka thënë se nuk i është lejuar kontakti me të pandehurin, edhe pas pranimit të ekspertizës së psikiatrisë forenzike për gjendjen mendore të të pandehurit.

Ai ka thënë se për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe emocionale “i pandehuri nuk do të deklarohet lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij, ndërkohë që mbrojtja do t’i ndjekë me kujdes të gjitha zhvillimet e shqyrtimit gjyqësor”.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 2 korrik nga ora 13:10.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.

Në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, për çmimin prej 280 eurosh.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Ndërkohë, Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.