Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, në seancën e së enjtes, shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje,
Ndërsa, i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, do të japë mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk jam në gjendje me dhënë mbrojtjen, do të shfrytëzoj të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha Krivaqa.
Ai shtoi se nuk është në gjendje të sqarojë atë që ka ndodhur.
Në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.
Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.
Edhe
Sot jepet fjala përfundimtare në rastin e Marigona Osmanit
Më 14 korrik të vitit të kaluar është mbajtur seanca fillestare ku Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.
Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunim”, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “ndihmë në kryerjen e dhunimit”