Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Lirohet Tom Doshi, dënohet Bami dhe Frroku

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm Tom Doshin, ndërkohë që Durim Bami dhe Mark Frroku u dënuan me 8 muaj burg.

Të tre këta persona ishin të akuzuar për kallëzim të rremë në lidhje me një atentat të supozuar ndaj Doshit. Për secilin nga të pandehurit organi i akuzës kërkoi dënimin me nga 1 vit burgim. Por, duke qenë se gjyqtari i çështjes Bledar Abdullai pranoi gjykimin e shkurtuar, automatikisht ulet një e treta e masës së kërkuar dhe përfundimisht kërkesa e prokurorisë ishte 8 muaj burgim për secilin, transmeton tch.

Sipas konkluzioneve të prokurorisë, Doshi, Frroku dhe Bami kanë deklaruar të dhëna të rreme në lidhje me një atentat që supozohej se ishte organizuar për eleminimin fizik të deputetit Tom Doshi. Nga verifikimet e akuzës ka rezultuar se këtë fakt e ka deklaruar i pari Mark Frroku në një takim që ka patur me Doshin.

Madje ka qenë Frroku, që sipas prokurorisë e ka prezantuar Tom Doshin me Durim Bamin, personi që duhej të kryente atentatin me porosi të ish-kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Pikërisht për këto dëshmi të rreme prokuroria i ka akuzuar për kallëzim të rremë.