Ish-kryeshefi i Agjencisë për Produkte e Pajisje Medicinale, Ilir Dushi e ish-shefi i licencimit në këtë institucion, Bersant Kolgeci, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, gjatë shpalljes së aktgjykimit ka thënë se nuk është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë. Aktgjykimi i plotë që përmban arsyetimin e detajuar të vendimit, siç ka thënë Syla, do t’u dërgohet palëve në përputhje me afatet ligjore.
Sipas aktakuzës së vitit 2014, më 2013-n i akuzuari Dushi si kryeshef i AKPPM-së, Ejupi si drejtor për licencim në këtë institucion e Kolgeci si drejtor i departamentit ligjor e kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi e bën të mundshëm lëshimin e mbi 400 mijë banderolave për barnat e kompanisë “Prima Pharm” me origjinë kineze që ishin pa certifikatën për Praktikën e Mirë Prodhuese (PMP).
Si Ejupin, ashtu edhe pronarin e kompanisë Prima Pharm, Edon Hajrullagën, që ishte akuzuar për veprën penale "prodhim i ndaluar", Gjykata e Apelit i ka liruar nga akuzat më 2018-n.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Dy të akuzuarit janë dënuar edhe më herët për këtë rast, përkatësisht më 2017-n, 2018-n e 2020-n me nga gjashtë muaj burgim. Në bazë të një llogaritjeje të Institutit të Kosovës për Drejtësi “nëse nuk zgjidhet deri në gusht të vitit 2023, atëherë ky rast do të parashkruhet” në tërësi.