Policia e Shqipërisë ka arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Fushë-Mëzez”, për motive të dobëta ka goditur me grushte dhe mjete të forta shtetasin A. D., 28 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e traumës nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Goditja për shkak të detyrës”, shtetasit F. D., 39 vjeç dhe H. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, transmeton kp.
“Këta dy shtetas në momentin e arrestimit të shtetasit F. K., kanë ndërhyrë duke kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, punonjësit e “Forcës së Posaçme Shigjeta” të cilët do bënin shoqërimin e shtetasit F. K., për në Komisariat”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.