Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për “vrasje në tentativë” në Malishevë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, L.B., dhe E.B., me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.

“Prokuroria njoftoi se, më 30 tetor 2021, në fshatin Shkozë, Malishevë, i pandehuri L.B., me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.B., pas një konflikti të mëhershëm lidhur me një kontest civil. Derisa i dëmtuari ishte duke punuar tokën e tij, i pandehuri L.B., nxjerr armën dhe gjuan në drejtim të tij 22 herë, por nuk arrin ta qëllojë. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”. Po ashtu, i pandehuri L.B., pa autorizim, ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” “, thuhet në njoftim.

Ndërsa i pandehuri E.B., me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje ka ndihmuar të pandehurin, vëllain e tij, L.B., në kryerjen e veprën penale, duke pasur marrëveshje paraprake, ku më pas së bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.

Të dyshuarit që nga 30 tetori janë në ndalim.