Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet një muaj paraburgim për personin që dje shkaktoi aksidentin në magjistralen Ferizaj-Shtime

Paraburgim

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit E.M., nga Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

‘’Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06 qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, komuna Ferizaj, i pandehuri E.M., duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika” nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor dhe duke mos ia’ përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, i cili ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime vdekjeprurëse drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur, ndërsa, lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendren Klinike Univeristare të Kosovës për tretman të mëtejmë’’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri E.M., ka kryer veprën e sipërshënuar penale, për të cilën gjendet në ndalim 48 orësh.