Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Katër vjet burgim për tri plagosjet e para 14 vjetëve

Me katër vjet burgim është dënuar R.D. për plagosjen e tre adoleshentëve në një lokal të Prishtinës para 14 vjetësh.

R.D. u dënua nga Departamenti për të Mitur i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në rastin e tij, tash madhor, gjykata ricilësoi veprën në “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga “lëndim i rëndë trupor”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka shpallur Aktgjykimin në rastin e të miturit – tani madhor R. D. Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale ashtu që i mituri – tani madhor R. D është gjetur penalisht përgjegjës për veprën penale - Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm dhe ndaj tij ka shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 4 (katër) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i dënuari është liruar nga shpenzimet e procedurës penale, ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

R.D. akuzohej se më 26 gusht 2009 në mbrëmje, në kafenenë “De Lux Novell”, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur me B.M., N.S. dhe F.F., pasi ka hyrë në lokal bashkë më shokët F.M. dhe F.H., posa kanë vërejtur grupin e lartcekur, ka filluar një zënkë, ku i mituri R.D. kishte nxjerrë revolen nga brezi dhe ka shtënë disa herë me ç’rast ishin plagosur rëndë mysafirët që ishin në lokal, Argjent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha.

Në lidhje me vendimin për dënim, Tahir Rrecaj, avokat i të akuzuarit, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ndaj këtij vendimi do të ankohen në Gjykatën e Apelit, pasi sipas tij ky vendim është skandaloz.

“Po patjetër, ai është skandaloz vendimi, nuk ka prova”, është shprehur ai.

Ndërsa, të dëmtuarit Brilant Krasniqi, Argent Breznica dhe Besart Hoxha, kanë thënë se pas këtij vendimi, kërkojnë që të mbahen përgjegjës të gjithë ata prokurorë dhe gjykatës që e kanë zvarritur këtë lëndë.

“Betimi për Drejtësi”, më 25 mars 2023, kishte transmetuar hulumtimin “Zvarritjet e drejtësisë për zbardhjen e krimit mbi adoleshentët”, ku tregohej se si për afër 14 vjet nuk ishte zgjidhur ky rast nga sistemi i drejtësisë./BetimipërDrejtësi

 

Artikuj të ngjashëm