Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Katër të intervistuar rreth vjedhjes së rreth 4 mijë litrave naftë në QMF-të e Gjakovës

Policia e Kosovës nuk ka ende asnjë të dyshuar, apo të arrestuar për vjedhjen e rreth 4 mijë litrave naftë në katër Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF) në komunën e Gjakovës. Fillimisht para disa ditësh ishte lajmëruar mungesa e 1 mijë litrave naftë për ngrohje që duhej të ishin në rezervuarin e QKMF-së në paralagjen e qytetit të Gjakovës, e dje policia ka raportuar për raste të ngjashme edhe në 3 QMF të tjera nëpër fshatra.

Drejtori rajonal i Policisë së rajonit të Gjakovës, Lumni Graishta, ka thënë të premten për KOHËN se policia i ka intervistuar katër persona rreth këtyre rasteve, por ata nuk janë ndaluar në polici.

Graishta ka bërë me dije se të intervistuarit janë persona përgjegjës të QMF-ve të cilët vetë i kanë raportuar në polici rastet e vjedhjes së naftës.

Ai ka thënë se aktualisht janë duke u trajtuar rastet e vjedhjes së naftës në katër QMF, ndërkaq hetimet do të zgjerohen për të parë nëse ka raste të ngjashme edhe nëpër QMF të tjera.

Ndryshe, komuna e Gjakovës një ditë më parë ka dalë me një deklaratë lidhur me raportimet mediale për mungesën e naftës për ngrohje në QKMF-në e qytetit.

Sipas komunës sasia e naftës së munguar në fakt nuk është dërguar asnjëherë në rezervuarët e QKMF-së.

Edhe Vidhen 1000 litra naftë nga rezervuari i QMF-së në Gjakovë Kronikë Vidhen 1000 litra naftë nga rezervuari i QMF-së në Gjakovë

"Pasi që është hetuar sasia e munguar e naftës, janë dhënë udhëzimet që rasti të paraqitet te organet e drejtësisë për hetim. Hetimet do ta zbardhin të vërtetën, ndërkaq vendimet proporcionale do të merren me përfundimin e tyre", thuhet në reagimin e komunës së Gjakovës.

Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka treguar të premten për KOHËN se kompania e autorizuar për furnizim me naftë për ngrohje të QMF-ve në Gjakovë është "Petrol Company".

Image

Pamje e objektit të njërës nga QMF-të ku është vjedhur nafta / QMF-Cërmjan