Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë me dije se sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, është kapur një sasi e substancës narkotike.
Sipas komunikatës dërgur mediave, SHKK thotë se rasti ka ndodhur rreth orës 8:20, ku oficerët korrektues kanë vërejtur disa lëvizje të dyshmta mes të burgosurve në shëtitoren e Qendrës, dhe kanë filluar bastisjet e menjëhershme.
Në njërën nga dhomat është gjetur një shishe e plastikës e shpuar, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur për konsumim të substancave narkotike.
“Gjatë bastisjes ka rrjedhur informacioni se substanca narkotike po hidhet nga rruga dhe mbase mund të ketë mbetur në kulm, menjëherë është bërë bastisja e kulmit dhe si rezultat i saj në kulmin e Qendrës së Paraburgimit Prizren, është gjetur një pako cigare ku në brendinë e saj kishte substancë narkotike”, thuhet në komunikatën e SHKK-së, transmeton Koha.
Lidhur me këtë rast, oficerët korrektues kanë lokalizuar substancën e dyshuar narkotike dhe menjëherë kanë njoftuar Njësitin Antidrogë të Policisë së Kosovës.
Të dyshuarit i është ndërruar dhoma dhe me këtë rast, atij dhe disa të paraburgosurve të tjerë, u është inicuar procedurë disiplinore.
“Me qëllim të eliminimit të dukurive negative nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë ta ketë primare luftimin e dukurive negative dhe kontrabandës”, përfundon komunikata.