Policia ka vënë në pranga shqiptarin S.Ç, babanë e A.Ç, pasi në një konteiner të mbushur me banane që vinte nga Ekuadori janë kapur 49 kg kokainë. Kujtojmë se A.Ç. është dënuar me 14 vjet burg për trafikimin e 613 kg kokainë po nga Ekuadori.
E njëjta kompani, e njëjta linjë trafiku, me të njëjtin mall, banane në konteiner, ndryshon vetëm emri i pritësit po që ngelet brenda së njëjtës familjes.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S.Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike kokainë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.