Kronikë

Jepen detaje se si u plagos Corleone, 22-vjeçarja mbetet në paraburgim për 30 ditë

Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh 22-vjeçares A.S., e cila plagosi të enjten Vali Corleonen.

Gjykata ka dhënë edhe detaje nga rasti i djeshëm për të cilin policia pak pati dhënë.

Sipas njoftimit, në dhomën e ndejës kur ishin edhe persona të tjerë, e dyshuara kishte plagosur Corleonen.

“Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura në ambient familjar, në prezencë edhe personave të tjerë ka tentuar të privoj nga jeta tani të dëmtuarin P. C., në atë mënyrë që derisa kanë qenë duke ndenjur në dhomën e ndejës, ka shkrepë me armë zjarri – pistoletë duke goditur të dëmtuarin në pjesën e djathtë të këmbës, me ç’rast i shkakton dëmtime trupore dhe i njëjti detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.