Tenderi i hapur nga Policia për furnizim me uniforma të policisë është iniciuar si rast nga hetuesit e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës. Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media të Policisë të mërkurën, tre operatorë ekonomikë dyshohen për keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.
Sipas njoftimit, hetimet për këtë rast kanë filluar qe afro dy muaj.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka thënë se rasti është iniciuar dhe se janë siguruar dëshmi që do të dërgohen në Prokurori së bashku me kallëzimin penal.
Po ashtu është iniciuar edhe një rast tjetër, për një barnatore që dyshohet se shiste barna pa banderola të Kosovës.
Pronari i barnatores është shoqëruar në polici për intervistim.
Rasti i iniciuar është trajtuar në koordinim me prokuroren kujdestare dhe me aktvendim nga ana e saj rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt, bëhet e ditur në njoftim.