Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

I mituri ther moshatarin në Stacionin e Autobusëve të Pejës

Një i mitur nga një fshat i Pejës është therur me thikë të martën në mesditë nga një i mitur tjetër. Ngjarja ka ndodhur në Stacionin e Autobusëve të Pejës, kur pas një zënke është përdorur thika nga i mituri i dyshuar, i cili është nga një tjetër fshat i Pejës.

I mituri i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, kurse jeta e tij nuk është në rrezik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shefi i Urgjencës i Spitalit, Besnik Ibraj, i cili edhe e ka pranuar dhe trajtuar pacientin e therur, i ka thënë KD-së se i mituri ka pasur tri plagë në pjesën e shpinës. Sipas tij, plagët e shkaktuara në pjesën ashtërore të shpinës nuk kanë qenë të thella. Pacienti është kontrolluar dhe siç ka thënë Ibraj nuk ka pasur gjakrrjedhje të brendshme. “Plagët i kam qepur dhe përpunuar e pastaj pacienti është liruar për në shtëpi”, ka theksuar shefi i Urgjencës së Spitalit, Ibraj.

Rastin e ka konfirmuar edhe zyrtari për informim i Policisë së Pejës, Driton Rugova. “Rreth orës 12:14 jemi informuar se në Stacionin e Autobusëve kishte ndodhur një incident. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari i mitur pas një zënke me një të mitur e kishte sulmuar atë me thikë”, ka deklaruar Rugova, pa treguar moshat e të miturve të përfshirë në këtë rast. Ndërsa i dyshuari për këtë therje, sipas policisë, është arrestuar dhe i është konfiskuar edhe mjeti me të cilin e ka therur viktimën.