Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Himarë, përjashtohet oficeri i Policisë që dyshohet se goditi për vdekje një 7-vjeçare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka njoftuar të martën se ka përjashtuar nga detyra oficerin e Policisë, Arjan Tase, i cili dyshohet të jetë autori i tragjedisë ku mbeti e vdekur një 7-vjeçare në plazhin e Potamit në Himarë.

“Për Policinë e Shtetit keqardhja dhe përgjegjësia për këtë ngjarje është e dyfishtë, përveç se në nivel institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, si prindër, si familjarë dhe si bashkëqytetarë të këtij vendi”, ka thënë Nano.

Nano pezulloi nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, edhe drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë, kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

7-vjeçare humbi jetën teksa lahej në det kur u godit nga një skaf. Skafi po drejtohej nga oficeri Tase, i cili humbi drejtimin e mjetit. Tase ndodhej në Himarë për pushime me familje.