Një haker 18-vjeçar me prejardhje shqiptare, që kishte publikuar videot e videolojës “Grand Theft Auto VI”, të cilat ende nuk ishin publikuar, është dënuar me qëndrim në spital në afat të pacaktuar, raporton BBC.
A.K. nga Oxfordi, që është me autizëm, ishte anëtar kyç i bandës ndërkombëtare “Lapsus$”.
Grupi sulmoi gjigantët teknologjikë përfshirë “Uber”, “Nvidia” dhe “Rockstar Games”, ndërsa i shkaktoi firmave dëme afro 10 milionë dollarë.
Gjykatësja ka vlerësuar se shkathtësitë e 18-vjeçarit A.K. dhe dëshira e tij për të kryer krime kibernetike, nënkupton se ai mbetet rrezik i lartë për publikun.
Ai do të mbetet i mbyllur në spital, derisa mjekët ta vlerësojnë se më nuk është rrezik.
Edhe
Padia e 15-vjeçarit për varësinë nga YouTube mbyllet me marrëveshje
Në gjykatë është dëgjuar se si 18-vjeçari ka qenë i dhunshëm në paraburgim dhe ka pasur dhjetëra raportime për lëndime e dëmtim të pronave.
Mjekët e vlerësuan hakerin shqiptar se nuk është në gjendje të gjykohet pasi ka autizëm akut, kështu që juria u pyet për të përcaktuar nëse ai ka kryer apo jo veprimet e pretenduara – dhe jo nëse e ka bërë me qëllim për të kryer krim.
Një vlerësim i shëndetit mendor që i ishte kryer si pjesë e seancës, tha se “ai vazhdon të shprehë synime për t’iu kthyer krimit kibernetik sa më shpejt të jetë e mundur dhe se është shumë i motivuar”.
Jurisë iu tha se ndërsa ai ishte në liri me kusht për hakimin e “Nvidias” dhe “BT/EE” dhe ishte nën mbrojtje të policisë në hotelin “Travelodge”, ai vazhdoi të hakonte dhe kreu hakimin e tij famëkeq.
Pavarësisht se i ishte konfiskuar llaptopi, 18-vjeçari arriti të kryente sulmin ndaj “Rockstar”, kompanisë prapa videolojës “GTA”, duke e përdorur një “Amazon Firestick”, televizorin e tij të hotelit dhe një telefon celular.
A.K. vodhi 90 klipe të “Grand Theft Auto VI” të pa publikuar dhe që po priteshin me padurim.
Depërtoi te sistemi i mesazheve të kompanisë në “Slack” dhe u tha “nëse Rockstar nuk më kontakton në Telegram brenda 24 orëve, do të filloj të publikoj kodin burimor”.
Ai i postoi klipet dhe kodin burimor në një forum me emrin “TeaPotUberHacker”.
Ai u riarrestua dhe u mbajt deri në gjykim.
Më herët këtë muaj, trajleri i “GTA VI” u publikua duke marrë 128 milionë shikime në YouTube brenda 4 ditëve.
Në seancën dëgjimore, është thënë nga mbrojtja e hakerit shqiptar se suksesi i trajlerit të lojës tregon se hakimi nuk ka shkaktuar dëm aq serioz te zhvilluesi i lojës dhe ka kërkuar të merret në konsideratë.
Por, gjykatësi Lees tha se ka pasur viktima të vërteta dhe dëm të vërtetë nga hakimet e tij të shumta ndaj individëve dhe kompanive, hakime që kreu me “Lapsus$”.
“Rockstar Games” i ka thënë gjykatës se u desh 5 milionë dollarë për t’u rikuperuar nga hakimi dhe mijëra orë pune nga stafi.
Edhe
Kosovari i dënuar për vjedhje në bankë që paraqitet në videoklipin e Draket

Një anëtar tjetër i “Lapsus$”, që është 17-vjeçar, u shpall fajtor në seancën e njëjtë.
Seanca zgjati gjashtë javë në Gjykatën në Southwark.
17-vjeçari kishte punuar me shqiptarin 18-vjeçar dhe me anëtarët e tjerë të grupit për të hapur gjigantin teknologjik “Nvidia” dhe po ashtu kompaninë telefonike “BT/EE”, duke vjedhur të dhëna, para se të kërkonin 4 milionë dollarë. Pagesa nuk ishte bërë kurrë.
Po ashtu ata kishin vjedhur direkt nga individët në kuletat e tyre të kriptovalutave.
17-vjeçari u dënua me 18 muaj Rehabilitim Rinor, përfshirë mbikëqyrjen intensive dhe ndalimin e përdorimit të VPN-së në internet.
Pos për hakim, djali u dënua për atë që gjykatësi e përshkroi si “model të pakëndshëm dhe të frikshëm të përndjekjes dhe ngacmimit” të dy vajzave të reja.
Shqiptari A.K. 18-vjeçar dhe shoku i tij 17-vjeçar janë anëtarë e parë të grupit “Lapsus$” që janë dënuar, por mendohet se tjerët janë ende të lirë.
Sulmet e bandës në vitin 2021 dhe 2022 shokuan botën e sigurisë kibernetike. Grupi nga Britania e Madhe, e po ashtu dyshohet se ka edhe nga Brazili, u përshkruan nga gjykata si “banditë digjitalë”.
Banda – ndonëse shumica tinejxherë – përdorën manovra për të depërtuar te gjiganti teknologjik “Microsoft” dhe te grupi digjital bankar “Revolut”.
Gjatë këtyre hakimeve, hakerët rregullisht festonin krimet e tyre publikisht dhe talleshin me viktimat në rrjetin social “Telegram” duke folur në gjuhën angleze dhe portugeze.
Kjo shtyu autoritetet e mbrojtjes kibernetike të SHBA-së të lëshonin një raport të gjatë për “Lapsus$” dhe bandat tjera të hakerëve tinejxherë.
Edhe
Vajza që kalonte deri në 16 orë në Instagram: Juria do të vendosë nëse Meta ka faj
Në raport u tha se “Lapsus$” bëri të qartë se “sa e lehtë ishte për anëtarët e saj të depërtonin në organizata të mbrojtura mirë”.
Nuk është e qartë se sa para ka fituar grupi “Lapsus$” nga krimet kibernetike. Asnjë kompani nuk pranoi publikisht se kishte paguar hakerët.