Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka njoftuar se sot me datë 01.12.2019 rreth orës 07:08, ka pranuar informacion se në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Pejë, në një kanal ishte vërejtur një person i shtrirë.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, në atë lokacion kanë dalë njësite policore, njëkohësisht ka dalë edhe ekipi mjekësor me autoambulancë të cilët pas kontrollit nga mjekët, kanë konstatuar se shtetasi B.B. i lindur në vitin 1965 (m /sh / K) ishte pa shenja jete dhe vlen të ceket se në shikimin vizual tek ky person nuk vërehen shenja të lëndimeve”, ka thënë Policia, raporton Koha.net.
Me hetimin e këtij rasti janë duke u marrë Njësiti Rajonal i Hetimeve, në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit dhe me urdhër tij, trupi i pajetë është bartur nga vendi i ngjarjes për t’u dërguar ne Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.