Trupi i pajetë i një emigranti nga Siria është gjetur sot në Portin e Durrësit. Report Tv thekson se dyshimet e para janë se trupi i pajetë i përket një emigranti nga Siria, i cili është zhdukur disa ditë më parë.
Mendohet se shtetasi sirian mund të ketë rënë në det teksa ka tentuar të imbarkohet në ndonjë anije.
Sipas Report Tv 4 ditë më parë 3 shtetas sirianë kanë tentuar të hipnin në një traget, por pasi janë diktuar janë hedhur, dy prej të cilëve kanë dalë, ndërsa i treti jo.
Njoftimi i policisë
Më datë 10.07.2020, rreth orës 07:45, në akuariumin e portit, është gjetur i mbytur një shtetas ende i paidentifikuar, i seksit mashkull, i dekompozuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe për zbardhjen e ngjarjes.
Prej vitesh vendi ynë pret me qindra refugjatë kryesisht nga lindja e mesme, që përdorin Shqipërinë si “trampolinë” për të depërtuar në vendet e BE. Report TV solli pak kohë më parë ekskluzivisht rrugëtimin e 5 refugjatëve sirianë që pas futjes ilegalisht në Shqipëri përfundojnë në kryeqytet të ndihmuar nga grupet kriminale kundrejt pagesave. Destinacioni i tyre final janë vendet e Bashkimit Evropian.