Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në mëngjesin e të dielës është gjetur pa shenja jete një pacient nga Enti Special i Shtimes.
Siç ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli për KOHËN, Policia e ka marrë informatën rreth orës 4:45 të mëngjesit.
“Sot, rreth orës 04:45 kemi pranuar një informacion se në QKMF në Shtime gjendet një pacient nga Enti Special i Shtimes pa shenja jete. Hetuesit dhe krimteknikët rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet. Nga hetimet e zhvilluara hetuesit kanë mësuar se pacienti ishte sjellë pa shenja jete në QKMF-Shtime, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa sipas personelit të Entit Special në Shtime, viktima një kohë të gjatë ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën terapi mjekësore”, ka thënë Veseli.
Trupi i 64-vjeçarit T.A. është dërguar për autopsi në IML, ndërsa rasti është cilësuar “hetim mbi vdekjen”.