Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Gjatë pesë ditëve në Kosovë u arrestuan 72 persona, në kuadër të operacionit “Goditja”

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë pesë ditëve në Kosovë, nga 8 gushti deri më 12 gusht, janë arrestuar 72 persona, 24 prej tyre me urdhërarreste nga gjykata dhe janë konfiskuar 34 armë, në kuadër të urdhrit operativ “Goditja”.

“Gjatë kësaj kohe, me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të qetë, në zonat urbane është bërë shtimi i patrullave policore të njësiteve të ndryshme dhe janë shënuar aktivitetet si në vijim: Janë realizuar 2154 Pika Kontrolli për Automjete, 730 prej tyre me radarë dhe alkool-test; Janë kontrolluar 12038 vetura; Janë kontrolluar 229 lokale; Janë arrestuar 72 persona, prej tyre 24 me urdhër-arreste nga gjykatat dhe; Janë konfiskuar 34 armë”, ka njoftuar Policia e Kosovës, që ka thënë se do të vazhdohet realizimi i kontrolleve bazuar në këtë urdhër. “Policia e vetëdijshme se rezultatet nuk do të ishin në nivelet e dëshiruara pa bashkëpunimin me qytetarët, i fton të gjithë ata që posedojnë, ose janë prezent në situata ku mund të ketë shkelje ligjore, dukuri tjera të ndaluara, ku shfaqen situata ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, ta lajmërojnë policinë”.