Kronikë

E rrëmbyen një person në Drenas, arrestohen dy të dyshuar

Dy persona janë arrestuar të enjten pasi dyshohen se kanë rrëmbyer një 33-vjeçar nga Drenasi, duke e dërguar në një lokacion në Lipjan dhe ndaj të njëjtit është ushtruar dhunë dhe forma të ndryshme të kërcënimit.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Policisë, ku thuhet se të dyshuarit janë E. S, 24 vjeç dhe Gj. S 55 vjeç.

Ky rast, dyshohet se ka ndodhur më datë 26 janar, rreth orës 22:45 në fshatin Shtrubullovë të komunës së Drenasit, ndërsa viktima është një 33-vjeçar.

“Pas arrestimit me aktvendim të nxjerrë nga ana e Prokurorit të Shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit policorë po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes. Dyshimet janë ngritur për veprat ‘Privim i kundërligjshëm i lirisë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ‘Lëndim trupor’, si dhe ‘Kanosje’”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia.