Kronikë

Një gjyqtar vritet brenda sallës gjyqësore në Tiranë

Policia Tirane Astrit Kalaja

Pamje nga momenti kur policia e shtetit ndërhynë brenda në Gjykatë (Foto: A2)

Raportohet se ka vdekur gjyqtari Astrit Kalaja.

Siç raporton Top Channel, ai është qëlluar me armë zjarri në sallën e gjyqit të Apelit në Tiranë.

Po ashtu bëhet e ditur se janë plagosur dhe dy persona që ndodheshin në sallë, babë e bir.

Sipas hetuesve, ngjarja ka të bëjë me detyrën e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte një çështje pronash. 

“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, thuhet në njoftim zyrtar të Policisë.


“E qëllova sepse po e humbisja gjyqin” – deklarata e të arrestuari për vrasjen e gjyqtarit

GJ.SH, i dyshuari për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, e ka pranuar krimin në Komisariatin Numër 1.

Ai ka pranuar vrasjen, ndërkohë që ka thënë se e ka qëlluar gjyqtarin pasi po humbiste një çështje për pronat, raporton Gazeta Panorama.

“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, ka dëshmuar autori Gjon Shkëmbi në Komisariatin Numër 1.

VIDEO:

Begaj: Vrasja e gjyqtarit Kalaja është atentat makabër ndaj sistemit të drejtësisë

29 min. më parë / 6 tet 2025 17:45
Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është thellësisht i tronditur dhe dënon me gjuhën më të ashpër këtë akt.

Begaj ka thënë se ky sulm ndaj drejtësisë duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzje dhe mospajtim të thellë.

“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale. Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Rama: Agresioni kriminal ndaj gjyqtarit kërkon përgjigjen më ekstreme ligjore

34 min. më parë / 6 tet 2025 17:40
Edi Rama

Photo: Associated Press

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar “përgjigje ekstreme ligjore” ndaj autorit të vrasjes së gjyqtarit në Shqipëri.

Sipas tij kjo tragjedi kërkon reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme  të gjykatave.

“Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojëra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësor”, ka thënë ai. /tch