Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar dy rate të vdekjeve që kanë ndodhur të mërkurën.
Njëri rast ka ndodhur në Junik ku në një shtëpi dy gra janë gjetur pa vetëdije dhe ekipi mjekësor që ka dalë në vendngjarje ka konstatuar se njëra prej tyre ka vdekur.
“Raportohet se në një shtëpi janë gjetur pa vetëdije dy femra të moshuara kosovare. Lidhur me rastin ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se njëra nga viktimat është pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në gjendje të rëndë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore thuhet se ka dalë edhe prokurori dhe me vendim të tij trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Ndërkohë rasti tjetër ka ndodhur në Prizren ku i vdekur është gjetur një burrë.
“Raportohet se është gjetur pa shenja jetë viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.