Dy persona kanë mbetur të plagosur të martën në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, ka bërë të ditur për KOHËN se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Dy persona janë arrestuar si të dyshuar në lidhje me këtë rast të ndodhur brenda një dyqani.
“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani dhe për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri. Dy persona janë arrestuar nga policia nën rrethana që ndërlidhen me ngjarjen, ndërkaq vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar ai.