Artikulli është përditësuar - Tre persona janë vrarë e disa janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan të dielën në mesditë, kanë konfirmuar autoritetet.

Fillimisht Policia e Kosovës njoftoi se vdekja e dy personave është konstatuar në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ibrahim Rugova”. U tha po ashtu se dy të plagosurve u është ofruar ndihma në qendrën emergjente në Gjilan. Nuk qe njoftuar për gjendjen e tyre. E më pas, në spitalin e Gjilanit kanë thënë se në vend të ngjarjes është konstatuar një rast i vdekjes, e dy të tjerë janë dërguar në Emergjencë pa shenja jete.

“Një rast tjetër është transferuar për në QKUK dhe një tjetër është pranuar në Ortopedi. Gjendjen nuk mund ta përshkruajmë, por do të shohim nëse ndryshon diçka në ndonjë moment të caktuar”, ka thënë Kudret Rexhepi nga zyra për media në Spitalin e Gjilanit.

Në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

Policia e Kosovës është duke kërkuar tre persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë.

Mefail Shkodra 53-vjeçar dhe djemtë e tij Edonis Shkodra 25-vjeçar dhe Engjull Shkodra 22-vjeçar janë duke u kërkuar nga Policia. 

Drejtori i Drejtorisë rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, ka thënë në konferencë për media se është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar. 

Ai ka thënë se ka prova të mjaftueshme se të dyshuarit kanë kryer vrasjen. Rukiqi ka treguar se janë kryer kontrolle në tri lokacione. 

“Është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë lajmëruar pikat kufitare. Policia me veprimet e ndërmarra ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme, me dyshimin se tre personat e përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë e kanë kryer këtë vepër. Policia ka ndërmarrë kontrolle në tri lokacionale me dyshimin se mund të jenë personat e dyshimtë. Ekipet rajonale janë në terren”, ka thënë Rukiqi. 

Ai ka deklaruar se një person i katërt që është qëlluar nga arma e zjarrit, është transportuar në QKUK në gjendje të rëndë.

Rukiqi ka shtuar se në vendin e ngjarjes është arrestuar një person për këtë rast.

“Në vendin e ngjarjes është konstatuar se një person ka vdekur. Dy persona të tjerë që janë transportuar në emergjencën e qytetit të Gjilanit, përkundër ndihmës mjekësore atje nuk kanë arritur të mbijetojnë. Personi i katërt është transportuar në QKUK në Prishtinë në gjendje të rëndë shëndetësore. Tre persona të dyshimtë janë identifikuar për Policinë, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Ndaj tyre është lëshuar urdhri për kërkim policor. Ata aktualisht janë në arrati. Ndërsa një person i katërt është arrestuar në vendngjarje dhe janë duke u hetuar të gjitha veprimet nëse ky person mund të ketë ndërlidhje me këtë rast”, ka thënë ai.

Ai tha se i dyshuari Mefail Shkodra ka shumë precedente penale, përfshirë sulm, prishje të rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh, detyrim dhe pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal. 

 


Gjendja e të plagosurit në Gjilan e rëndë, por stabile

2 muaj më parë / 10 gus 2025 22:02
QKUK

Personi, i cili është plagosur sot në rastin e vrasjes së trefishtë në Gjilan, ndodhet për trajtim mjekësor në QKUK.

Naser Syla nga QKUK-ja ka konfirmuar për KosovaPress se gjendja shëndetësore e personit të plagosur është e rëndë, por stabile.

“Në QKUK është sjellë një person i plagosur me armë zjarri nga spitali i Gjilanit. Gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe ai po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, ka thënë Syla.

Tre persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan.

Një person është arrestuar në lidhje me rastin, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim Mefail Shkodra (53) dhe dy djemtë e tij - Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22).

Policia e Kosovës dhe njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.
 

Vrasja e trefishtë në Gjilan, Osmani thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë për veprim urgjent

2 muaj më parë / 10 gus 2025 21:49
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të kapen sa më shpejt autorët e vrasjes së trefishtë në Gjilan dhe të sillen para drejtësisë. 

Ajo ka thënë se është për keqardhje që të dyshuarit për vrasjen ishin lënë të lirë vitin e kaluar nga institucionet e drejtësisë pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim., ndonëse akuzoheshin për vepra të rënda. 

“Presidentja shpreh keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të tre qytetarëve në vrasjen e rëndë të kryer në Gjilan dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Gjithashtu, Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, thuhet në reagimin e Presidencës. 

Po ashtu është reaguar edhe për një foto të publikuar në media të presidentes me të dyshuarin Mefail Shkodra. 

“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje.  Presidentja i bën sërish thirrje organeve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit, në mënyrë që vrasësi të marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagim.

Haxhiu: Ndërprerja e paraburgimit të të dyshuarve për vrasjen e trefishtë, problem serioz i institucioneve të drejtësisë

2 muaj më parë / 10 gus 2025 21:06
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Gjilan u është ndërprerë paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë për fajde dhe detyrim. 

Sipas saj, ndërprerja e paraburgimit tregon problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë. 

“Bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për veprat që ata dyshohen të kenë kryer tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë. Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka shtuar se sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

 

Vrasja e trefishtë në Gjilan, Sveçla i indinjuar me institucionet e drejtësisë

2 muaj më parë / 10 gus 2025 19:28
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se është thellësisht i tronditur me vrasjen e trefishtë në Gjilan. 

Ai ka shprehur indinjatën ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit. 

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar Sveçla në Facebook.  

Ai ka thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos bëjnë tolerim për “asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale”. 

“Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar”, ka shkruar Sveçla. 

Hyseni pas vrasjes së trefishtë: S’do të lejojmë që dhuna të marrë vend në jetën tonë të përditshme

2 muaj më parë / 10 gus 2025 18:13
Alban Hyseni

Alban Hyseni

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi të dielën në këtë qytet. 

Hyseni ka thënë se do të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë që autori të sillet para drejtësisë sa më shpejt. Ai ka thënë se nuk do të lejohet që dhuna të marrë vend në “jetën tonë të përditshme”. 

“Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Gjilanit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Zemrat tona sot janë me ju. Ky akt i dhunshëm dhe i papranueshëm është një plagë e rëndë për komunitetin tonë. Ju siguroj se do të bashkëpunojmë ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë, që autori i këtij krimi të sillet para drejtësisë sa më shpejt. Gjilani është qytet i paqes dhe bashkëjetesës, dhe ne nuk do të lejojmë që dhuna të marrë vend në jetën tonë të përditshme. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar si komunitet”, ka shkruar Hyseni në Facebook. 

Për vrasjen e trefishtë ka reaguar edhe kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri. 

“Është e dhimbshme që prej epitetit qytet i paqes e i respektit dhe qytetit pa asnjë vrasje, në vitet e fundit Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka shkruar Haziri.


 

Krasniqi për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Alarm për pasigurinë e kriminalitetin që po rriten

2 muaj më parë / 10 gus 2025 16:34
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për vrasjen e trefishtë në Gjilan që ndodhi të dielën. 

Krasniqi ka thënë se ky është një alarm tjetër për pasigurinë, kriminalitetin dhe fenomenet negative që po rriten vitet e fundit në Kosovë. Ai u ka bërë thirrje institucioneve të veprojnë shpejtë. 

“Ngjarja tragjike e sotme në Gjilan, ku u vranë tre persona, është një dhembje e madhe për të gjithë. Ky është një tjetër alarm për pasigurinë, kriminalitetin dhe fenomenet negative që po rriten vitet e fundit në Kosovë.  Institucionet duhet të veprojnë shpejt për t’i sjell akterët para drejtësisë, por edhe për të rikthyer sigurinë dhe besimin e qytetarëve. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave!” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.