Kronikë

Dy kosovarë të lënduar pas rrëzimit të një aeroplani të vogël në Liqenin e Mavrovës

Dy kosovarë të lënduar pas rrëzimit të një aeroplani të vogle në Liqenin e Mavrovës

Dy qytetarë të Kosovës, J.P. 41 vjeç dhe D.M. 64 vjeç, kanë mbetur të lënduar pasi një aeroplan i vogël sportiv është rrëzuar të premten në ujërat e Liqenit të Mavrovës. Të lënduarit u dërguan me urgjencë në spitalin e Gostivarit, ka konfirmuar Shërbimi Rajonal i Emergjencës në Tetovë. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore. 

Sipas informacioneve të para, aeroplani ka pësuar defekt teknik në motor, çka ka detyruar pilotin të bëjë ulje të detyruar në liqen.

“Rreth orës 12:35 të datës 12.12.2025, Stacioni Policor në Tetovë – Stacioni Policor Gostivar ka raportuar se një aeroplan i vogël sportiv është rrëzuar në Liqenin e Mavrovës, afër digës së Kanalit Belicë. Sipas raportit, dy shtetas të Kosovës, J.P. (41 vjeç) dhe D.M. (64 vjeç), i cili ishte pilot i aeroplanit, kanë arritur të dalin nga mjeti dhe të ngjiten në breg. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar për trajtim në Qendrën Klinike të Gostivarit”, ka njoftuar policia e Tetovës.

Policia e Mavrovës ka dalë menjëherë në vendngjarje. Në deklaratën dhënë oficerëve, piloti ka thënë se ishte i detyruar të ulej në liqen për shkak të problemeve me motorin.