Kronikë

Dorëzohen dy të dyshuar për plagosjen në Greme vitin e kaluar

arrestohen

Foto: Ilustrim

Dy të dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë janë vetëdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizaj të mërkurën pasdite. 

Rasti ka të bëjë me një plagosje që pati ndodhur në Greme, Ferizaj, në gusht të vitit të kaluar. 

Të dyshuarit ishin në arrati që prej gushtit. 

“Të dyshuarit, B.Z. (M/K), 28 vjeç, dhe B.Z. (M/K),25 vjeç, janë dorëzuar lidhur me një ngjarje të ndodhur më 26 gusht 2024 në fshatin Greme të Ferizajt, ku si pasojë mbeti i plagosur personi B.B. (M/K), 38 vjeç”, njoftoi Policia.

E, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 26 gusht 2024, rreth orës 23:12, në fshatin Greme, komuna Ferizaj, fillimisht tentojnë që të dëmtuarin B.B., ta fusin në automjetin e tyre Audi, ngjyrë e zezë, mirëpo për shkak të rezistencës këtë nuk mund ta bëjnë dhe i dëmtuari arrin të largohet. 

"Të pandehurit me dashje që ta privojnë nga jeta secili me armë shtënë në drejtim të  të dëmtuarit B.B., mirëpo i njëjti arrin të kërcej në oborrin e shtëpisë, mirëpo të pandehurit arrijnë që ta godasin në regjionin e abdomenit, si dhe në këmbën e djathtë,- me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kryen veprën penale 'Vrasje në tentativë' nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", njoftoi Prokuroria.