Në Graçanicë është djegur një billbord ku shkruhej “Liria ka emër” bashkë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
KOHA ka kontaktuar me Policinë e Kosovës. Zyrtarë për informim thanë se sapo të marrin informacione rreth rastit do të informojnë.
Billborde të njëjta janë vendosur në qytete të ndryshme të Kosovës. Fushata ka nisur pasi u ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, për ish-eprorë të UÇK-së.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë.
Në faqen e saj në Facebook, “Liria ka Emër”, thuhet se është nismë e një grupi vullnetmirë për të nisur një debat rreth historisë së re të Kosovës dhe nevojës së një kujtese kolektive gjithpërfshirëse në rrugëtimin e një krenarie kolektive në të ardhmen. Këtë nismë, sipas profilit të saj në Facebook, e përbëjne Burbuqe Berisha – regjisore, Eliza Hoxha – artiste, Fatmir Spahiu, aktor dhe regjisor, Festim Arifi – këngëtar, Ismail Tasholli – filozof dhe Visar Kryeziu – fotograf.