Kronikë

Dëshmitarët tregojnë se si ndodhi aksidenti kur kamioni i “Pastrimit” goditi 9 vetura në Prishtinë

Tre persona mbetën të lënduar nga një aksident që ndodhi rreth orës një pasditen e së premtes në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

E nga Qendra Emergjente bëhet e ditur se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

"Nga aksidenti që ka ndodhur sot nga një kamion i kompanisë "Pastrimi", kanë ardhur në emergjencë tre pacientë. Kryesisht me lëndime të lehta trupore. Një prej tyre është me ekzaminime shtesë, do të thotë do t’i bëhet CT e kokës edhe toraksit. Të tjerët janë me lëndime jashtë rrezikut për jetë. Janë të përfshira dy prej veturave edhe një i kompanisë "Pastrimi". Punëtorët që kanë qenë në kamionë... përafërsisht janë të moshës prej vitit 1979 dhe më i riu është i lindur më 1992", është thënë në përgjigjen e QKUK-së.

Një kamion për mbledhjen e mbeturinave, i kompanisë regjionale “Pastrimi” u përplas me 8 vetura.

Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Valdrin Berisha që e ka parë ngjarjen, tregon se kamioni e shkaktoi aksidentin, pasi nga rruga “Rrustem Statovci” kaloi në korsinë tjetër.

E prapa kamerave, dëshmitarë të tjerë tregojnë se kamionit nuk i punonin frenat. Ata thonë që e kanë parë kamionin të kalojë nëpër rrugën që e lidh Parkun e Qytetit me pjesën prapa teatrit, duke mos mundur të ndalet.

Madje, sipas tyre, shoferi dhe të tjerët u munduan të paralajmëronin këmbësorët për t’u larguar nga rruga.

Kohavisioni përmes telefonit, ka kontaktuar me zëdhënësen për informim në kompaninë “Pastrimi”, Arbnore Ademi.

Ajo i ka thënë televizionit se kamioni që e ka shkaktuar aksidentin, e ka kryer kontrollin e fundit teknik më 24 qershor 2019.

“I bie se gjithçka ka qenë në rregull teknikisht me kamionin. Çdo gjashtë muaj kryhen kontrollet periodike dhe një kontroll kryesor kryhet një herë në vit”, ka thënë Ademi.

Policia e Kosovës e ka ndalur për intervistim ngasësin e kamionit.