Hyri Peçani, i njohur si “Burdushi” është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim, pasi për herë të dytë i është refuzuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.
Siç ka raportuar Betimi për Drejtësi të enjten, avokati i “Burdushit”, Feim Alaj, e ka konfirmuar dërgimin e tij në burg.
“Përmes urdhëresës së gjykatës, Policia ka shkuar në shtëpi dhe e ka marrë të akuzuarin ‘Burdushi’ për ta dërguar në vuajtje të dënimit me burgim”, ka thënë Alaj.
Sipas avokatit, klienti i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai po akuzohet për veprën penale “mashtrim”.
“Betimi për Drejtësi” gjatë së enjtes ka kontaktuar me Shaban Kamberajn nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, i cili tha se deri në atë kohë nuk është lajmëruar aty.
Kurse, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) në Prishtinë nuk janë përgjigjur.