Kronikë

Behar Bajri ekstradohet në Shqipëri

Behar Bajri ka arritur të enjten në Shqipëri pas ekstradimit nga Franca. Bajri do të përballet me pesë vepra penale në drejtësinë shqiptare, ndërsa më kryesoret janë “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Vrasje me paramendim”.

Bajri ishte arrestuar gati dy muaj më parë në kufirin mes Francës dhe Gjermanisë. Ai u ekstradua në Shqipëri pas kërkesës së SPAK-ut. Planifikohej të arrinte dje në Shqipëri, por për arsye sigurie u shty për mëngjesin e sotëm.

Policia e Shqipërisë e kishte lokalizuar Bajrin në Strabsbourg, ku jetonte me familjen. Më pas të dhënat iu dorëzuan autoriteteve franceze, të cilët e arrestuan.

Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019 në Shqipëri, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere.

Sipas komunikimeve, biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita, i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn, i zhdukur që nga gushti i vitit të kaluar, dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin.

Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën.

Behar Bajri është një nga njerëzit kryesor të fisit Bajri në Shkodër, familje e njohur për krime të ndryshme.