Policia e Kosovës të shtunën ka arrestuar një pjesëtar të Policisë së Serbisë në vendkalimin kufitar në Jarinje, nën dyshimin për “import të paautorizuar të municionit dhe posedim të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës të dielën, ai u arrestua dje paradite kur gjatë kontrollit të një veture me targa të Beogradit, e drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar, zyrtarët doganorë dhe policorë zbuluan në bagazhin e veturës 51 fishekë, para të gatshme 9.900 euro dhe 26.000 dinarë serbë (rreth 220 euro).
Gjatë kontrollit, siç thotë raporti, autoritetet sekuestruan edhe dokumente personale dhe materiale policore, përfshirë kartelën e identifikimit dhe distinktivin e Policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së policisë serbe, letërnjoftimet e Serbisë dhe Kosovës, pasaportën serbe, një palë uniformash, një palë dorëza dhe një USB.
I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Siç kanë raportuar mediat në Serbi, i arrestuar është me inicialet N.U. dhe është pjesë e policisë së trafikut.
-
Ndalohet një serb në Jarinjë, iu zunë mbi 10 mijë euro të padeklaruara
-
Një person kapet me 84 fishekë në Aeroportin “Adem Jashari”
-
Policia sekuestron thika e pajisje me simbole nacionaliste në një veturë me targa të Serbisë në Jarinje
-
Arrestohet shtetasi i Serbisë në Jarinjë, i ofroi 10 euro ryshfet policit
-
Arrestohet në Jarinjë një i dyshuar për falsifikim të dokumenteve