Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohen një polic dhe gjashtë qytetarë në Pejë për bixhoz

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka arrestuar shtatë të dyshuar, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor, të dyshuar për “Organizimi të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm”.

Sipas njoftimit për media, muaj më parë hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale të PK-së në Pejë) dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

“Në kuadër të veprimeve hetimore mbrëmë nga hetuesit e IPK-së është zbatuar urdhërim i kontrollit në një lokal në rrugën “Hoxhë Tahsini” në Pejë meqë ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit nga IPK-ja janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast.

Njoftohet se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.