Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet një person, i gjendet afro një kilogram e gjysmë heroinë

Policia e Kosovës, respektivisht njësitë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar për kryerje të dy veprave penale.

“Me datën tre nëntor, pas hetimeve intensive dhe punës operative në terren, në fshatin Grejkoc të Suharekës, nga zyrtarët policorë është identifikuar një veturë e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar me iniciale L. R., i cili përkundër rezistencës së shfaqur kundrejt zyrtarëve policorë është arritur që të arrestohet, me ç ‘rast gjatë kontrollit të tij, tek i njëjti është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe një karikator i pistoletës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në lidhje me rastin thuhet se është konsultuar prokurori i shtetit përmes të cilit është marrë urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e të dyshuarit të lartcekur.

Gjatë bastisjes, përfshirë këtu edhe kontrollin e kryer në vendngjarje, sipas Policisë janë gjetur dhe janë sekuestruar “tre fishekë kalibër i panjohur, dy peshore digjitale, një kovë plastike me substancë të dyshuar për narkotikë heroinë, pesha 1403.96 gramë, dy aparate për vakumim, një rolle najloni për mbështjellje të substancave narkotike, katër doza substancë të dyshuar narkotike lloji kokainë me peshë 2.076 gramë, një karikator me tre fishekë kalibër i panjohur, para të gatshme në vlerë 500 euro, një veturë me targa vendore, dy telefona mobilë dhe një pistoletë ngjyrë e zezë pa karikator.

“Në lidhje me rastin personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit të tij me urdhër të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë.