Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet në Mitrovicë i kërkuari për falsifikim dokumentesh

Arrestim - Peje

Një person është arrestuar të mërkurën në Mitrovicë, nën dyshimin se ka bërë falsifikim të dokumentit.

Policia ka njoftuar se i arrestuari me inicialet A.D., bashkë me të dyshuarin tjetër E.B., ishin në kërkim policor për shkak se të dy gjendeshin jashtë vendit.

A.D., është arrestuar në Pikën Kufitare Jarinjë dhe është dërguar në ndalim deri në 48-orë.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit më 6 korrik të vitit të kaluar thuhet se kanë pranuar një informatë, të cilën më pas e kanë trajtuar në aspektin policor.

“Veprimet policore janë ndërmarrë nën dyshimin se në procedurën e ndërmjetësimit, në mënyrë të kundërligjshëm, janë shitur 30 prona (vlera e një prone nga pesë mijë deri në shtatë mijë euro), prona këto të komunitetit RAE në Mitrovicë. Në bazë të dëshmive të mbledhura dhe intervistave të zhvilluara, hetuesit policorë kanë ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit E.B. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i dokumentit’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej është bërë e ditur se përveç A.D. dhe E.B., që dyshohet se kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumenteve”, avokati B.K., dhe ndërmjetësuesi E.J., kanë kryer veprat penal “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.