Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet në Greqi i shumëkërkuari për atenatin ndaj nipit të Aldo Bares

Laert Haxhiu

I shumëkërkuari për vrasje të dyfishtë në vitin 2017 në Lushnje, Laert Haxhiu, është arrestuar të hënën mbrëma në Janinë të Greqisë, kanë njoftuar mediat greke.

31-vjeçari shqiptar, një nga të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare, u arrestua nga policia greke gjatë një ndjekje policore.

Sipas mediave greke, Laert Haxhiu po udhëtonte me një veturë tip BMW X5 kur policia greke u vu në ndjekje të tij.

Mjeti ku ndodhej Haxhiu nuk i ndaloi policisë, por tentoi të largohej. Gjatë ndjekjes policore, vetura e tyre u bllokua në një semafor të kuq dhe përplasi tre mjete të tjera.

Në veturë, 31-vjeçari nga Lushnja ishte së bashku me dy persona të tjerë.

Policia nisi ndjekjen ndaj tij nën dyshimet se po bëhej transport i emigrantëve të paligjshëm. Laert Haxhiu i paraqiti policisë greke një dokument fals nën emrin e Mikin Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave, polici greke zbuloi se bëhej fjalë për një të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Edhe dy personat e tjerë që ndodheshin me të u arrestuan. Edhe këta janë persona të njohur për autoritetet greke, njëri prej të cilëve i kërkuar gjithashtu nga pala shqiptare.

Interpoli i Athinës u ka dërguar të dhënat autoriteteve shqiptare.

Haxhiu është i dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në vitin 2017, ku cak i atentatit ishte nipi i Aldo Bares, Xhuljo Shkurti. Shkurti i shpëtoi atenatit, por plumbat kapën miqtë e tij, Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. 

Haxhiu dyshohet për përfshirje edhe në ngjarje të tjera kriminale. 

Artikuj të ngjashëm