Policia e Kosovës i ka arrestuar dy të mitur në Ferizaj, nën dyshimin se i kanë shkaktuar lëndime trupore një 40-vjeçari. Policia njoftoi se arrestimi i dy 17-vjeçarëve u krye të dielën, në rrugën "Epopeja e Jezercit".
I lënduari H.A., pasi ka marrë trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj, është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë.
“Njësia e Hetimeve të stacionit të policisë në Ferizaj, nën autorizim edhe të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kishte nisur hetimet intensive dhe pas një pune hetimore, mbledhjes së informacioneve në terren, në po të njëjtën ditë, rreth orës 15:55 ka arrestuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarjeje me inicialet E.SH (M/K) dhe SH.N (M/K), të moshave 17 vjeç”, thuhet në njoftimin policor të hënën.
Të dyshuarit, pas intervisimit në prani të avokatëve dhe prindërve janë ndaluar në mbajtje 24-orëshe.
Rasti është cilësuar si “lëndim i rëndë trupor”.