Dy të dyshuar janë arrestuar për vrasjen në Gjilan që ndodhi më 7 nëntor. Një 37-vjeçar ishte gjetur i vrarë skaj një rruge të qytetit atë ditë.
Policia ka njoftuar se ka analizuar dhjetëra materialeve filmike të kamerave të sigurisë, intervista, ka kryer kontrolle të vazhdueshme të disa lokacioneve për të cilat paraprakisht siguroheshin informata se janë duke u shfrytëzuar për strehim (fshehje) nga ana e të dyshuarave.
“Veprime këto të vazhdueshme hetimore intensive besohet se i kanë sjellë të dyshuarit në presion dhe situatë të papërballueshme me ç ‘rast të njëjtit sot më datën 12.11.2024 vullnetarisht kanë pranuar të dorëzohen në këtë njësi V.S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F.M. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës)”, njoftoi PK.
Nga të dyshuarit është konfiskuar një armë zjarri me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale vrasje.
Të dyshuarit janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.