Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohen dy persona për “kundërshtim të rregullave” të ndeshjes Kosovë-Izrael

Dy persona janë shoqëruar për në stacionin policor në Prishtinë, pasi vepruan “në kundërshtim me rregullat e parapara” për hyrje në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku po zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit.

Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se ndaj tyre është vazhduar me procedura të mëtejme “në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive në mes të Kosovës dhe Izraelit. Gjatë realizimit të detyrave policore mund të konfirmojmë se dy persona meshkuj kosovarë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadium, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë. Baki Kelani.

Autoritetet policore kanë kërkuar që të respektohen rregullat e parapara “me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive”.

Ndërsa, burimet brenda Policisë i kanë thënë KOHËS se njëri nga të arrestuarit është ndaluar për 48 orë. I njëjti dyshohet se kishte vendosur në një lokal flamur të Palestinës me mbishkrime nacionaliste.

KOHA ka mësuar se përkohësisht është mbyllur lokali që gjendet pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.