Kronikë

Arrestohen dy persona në Morinë, dyshohen se po tentonin ta trafikonin një 14-vjeçare në Kosovë

morine

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona në pikën kufitare në Morinë, nën dyshimin se po tentonin ta trafikonin një 14-vjeçare në Kosovë. 

Qytetari nga Berati, E.G. (22), është arrestuar nën dyshim për “trafikim të miturve”, ndërsa A.K. 18-vjeçar po ashtu nga Berati dyshohet për “moskallëzim të krimit”. 

Familjarët kishin raportuar të dielën se 14-vjeçarja ishte larguar nga banesa. 

“Tentoi të kalonte në kufi, një shtetase të mitur, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë, arrestohet në flagrancë 22-vjeçari. Arrestohet dhe pasagjeri në automjetin e 22-vjeçarit, për moskallëzim të krimit. Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë ndaluar në dalje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin E. G., 22 vjeç, i cili udhëtonte me shtetasin A. K., 18 vjeç, dhe me një shtetase 14 vjeçe. Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. G. po tentonte ta kalonte në kufi, 14-vjeçaren, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasit:  E. G., 22 vjeç, banues në Berat, për veprën penale ‘Trafikimi i të miturve’;  A. K., 18 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.  Më datë 28.09.2025, në DVP Durrës, kanë kallëzuar familjarët e 14-vjeçares, për largimin e saj nga banesa.  Vijojnë hetimet për rastin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, ka njoftuar Policia e Shtetit.