Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktorja shqiptare Adea Shabani varroset në Shkup

Është varrosur sot në Shkup aktorja shqiptare Adea Shabani, e cila ishte zhdukur në shkurt të këtij viti, gjersa më vonë u gjet e vdekur.

Familja dhe miqtë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit aktores së re shqiptare, Adea Shabani. Ajo është varrosur në varrezat e Butelit në Shkup. Varrimit i ka paraprirë një mbledhje komemorative, përmes së cilës u nderua ajo, raporton Express i KTV-së.

Aktorja shqiptare nga Maqedonia, e cila kishte shkuar në Los Anxhelos për të studiuar aktrimin, ishte raportuar fillimisht si e zhdukur, më 23 shkurt të këtij viti, gjersa kah fundi i muajit mars ishte gjetur e vdekur. Trupi i saj ishte gjetur në një varr në Kaliforninë jugore.

Hetimet fillimisht nuk kishin dhënë ndonjë rezultat, derisa fundjavën e kaluar, kur aktori 33-vjeçar, Chris Spotz, me të cilin Adea kishte qenë në lidhje, kreu vetëvrasje. U zbulua se ai ishte një nga të dyshuarit kryesorë në hetimin për Adean e zhdukur. Në të njëjtën kohë, mediat kanë shkruar se policia ka një dëshmitar, i cili kishte parë aktoren, duke u futur me dhunë në bagazhin e makinës së Chrisit.

Adea ishte 25-vjeçare.