Kronikë

Aktakuzë për vjedhjen e mbi 3 kilogramëve ari në Prizren

aktakuze

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sh.H., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 23 qershori për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Vjedhja e rëndë e mbetur në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.H., nga fshati Greme-Komuna e Ferizajt, në bashkëkryerje me V.G., shtetas i Bullgarisë, me qëllim përfitimi pasuror të kundërligjshëm, me datë 12.01.2025 në ora 03:40min të mëngjesit, në Prizren, parkuan makinën në një parking afër vendit të ngjarjes dhe të maskuar e të pajisur me mjete të përshtatshme, sigurojnë një palë shkallë, çaktivizojnë sistemin e alarmit dhe hyjnë me forcë në argjendarinë “G” në Prizren.

Sipas njoftimit ata arrijnë të marrin rreth 3 kg ari 14 karatësh, 1 pesëlirësh, 2 lira, disa hallka dore, 1 kg argjend dhe një peshore. 

“Vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar pronarit A.B., është rreth 195,000 euro. Më pas të pandehurit kthehen në parking dhe qëndrojnë aty deri në orën 06:00min, më pas largohen drejt fshatit Greme në Ferizaj, në shtëpinë e Sh.H. Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Vjedhja e rëndë’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se po atë natë, ata kanë hyrë në argjendarinë, “S.G.” në Prizren, pronë e të dëmtuarit M.S., me qëllim përfitimi të kundërligjshëm dhe me përdorim të forcës fizike. 

“Pasi hyjnë brenda, tentojnë të hapin kasafortën me forcë, por nuk arrijnë ta hapin, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime, Sh.H., në bashkëkryerje ka kryer veprën penal “Vjedhja e rëndë e mbetur në tentativë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se me 23 janar 2025, në rrugën “Mbreti Pirro” në Prizren, i pandehuri Sh.H., me qëllim përfitimi pasuror të kundërligjshëm, depërton me forcë në objektin e të dëmtuarit S.A., duke thyer xhamin e pjesës së mbyllur të objektit, dhe nga aty merr një modem interneti dhe një DVR, si dhe dëmton kabllot e sistemit të kamerave. Me këto veprime, thuhet se ai ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” sipas KPRK-së.

Prokurori i shtetit, me ngritjen e aktakuzës thuhet se ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale. 

“Ndër të tjera një (1) apartament në sipërfaqe prej 117 m2 në Ferizaj; Automjeti i markës Renault/RFB i markës ‘Megane’, ngjyrë e kaltër; Automjeti i markës ‘BMË/1K4’, ngjyrë e zezë; Automjeti i markës ‘BMË/Z3’, ngjyrë e zezë; Automjeti i markës ‘STELS/650-ST Traktor’; Një (1) automjet të markës ‘Peugeot 308’”, thuhet në njoftim.  

Po ashtu, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i ur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.