Kronikë

Aksion i krimeve ekonomike në Prishtinë, sekuestrohen disa produkte të dyshimta

Policia e Kosovës, sektori i Krimeve Ekonomike në Prishtinë ka zhvilluar një operacion në një subjekt biznesor në Prishtinë, që shet produkte të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shampona e po ashtu mjalta të ndryshme për potencë.

Policia ka bërë të ditur se këto produkte nuk kishin origjinë të prejardhjes dhe në disa prej tyre u ishte falsifikuar edhe afati i skadencës.

Policia ka thënë se aksioni është kryer në bashkëveprim me Inspektoratin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Po ashtu është njoftuar edhe Dogana.

Është bllombuar depo e subjektit deri në përfundim të rastit.

“Gjatë këtij operacioni është kryer kontroll në subjektin biznesor të dyshuar në tri (3) lokacione në Prishtinë. Gjatë kontrollimit të subjektit biznesor është hasur sasi e konsiderueshme e mallrave për të cilat pronari nuk ka mundur të prezantojë dokumentet e origjinës së këtij malli. Lidhur me këtë është njoftuar Dogana e Kosovës-Njësia e Antikontrabandës, e cila doli në vendin e ngjarjes duke u bashkuar në operacion me hetuesit e PK-së dhe Inspektoratin e MINT. Në këtë rast Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa Inspektorati i tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës”, ka njoftuar Policia.

Pronari i lokalit G.T. është intervistuar si person i dyshimtë për “kontrabandim me mallra”, “shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose akcizës”.

“Lidhur me këtë rast është njoftuar Prokurori kompetent nga PTH-Prishtinë dhe me rekomandimin e tij në këtë fazë personi i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve në përgjithësi, përfshirë luftën e pa kompromis edhe kundër krimeve ekonomike që në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka njoftuar Policia.