Kronikë

Premtim Gojanin në “Marigona” e plagosi dhëndri Faton Fetiu nga Gjakova

16:02 - Merret vesh se autori i plagosjes së mjekut Premtim Gojani, sot në mëngjes në lagjen “Marigona” të Graçanicës, është dhëndri i tij, Faton Fetiu nga Gjakova, raporton Koha.net.

Po ashtu merret vesh se Gojani i është shtruar një operacioni në Spitalin Amerikan, por aty nuk deklarohen për gjendjen e të plagosurit. Të afërm të tij pohojnë se i janë nxjerrë dy plumba, njëri nga koka e tjetri nga brinjët, ndërsa i ka mbetur edhe një. Pohohet po ashtu se nuk është në rrezik jete.


I plagosuri në “Marigonë”, mjeku Gojani

10:44 - Një person i moshës 54 vjeç është plagosur sot në lagjen Marigona në Graçanicë.

KosovaPress mëson se i plagosuri është Premtim Gojani ndërkaq nga dëshmitarë në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se ai është plagosur nga dhëndri i tij.

Sipas Policisë i dyshuari është një 64 vjeçar dhe i njëjti është arrestuar nga Policia.


Plagoset një person në lagjen “Marigona” të Graçanicës, arrestohet autori

Në Lagjen Marigona të Graçanicës ka ndodhur sot një plagosje, ka njoftuar Zyra për marrëdhënie me publikun & media, Drejtoria Rajonale e Policisë - Prishtinë.

Në njoftim thuhet:

Sot rreth orës 08:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Marigona, në Graçanicë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima:

P. G, mashkull, 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin në fjalë policia ka arrestuar në vendin e ngjarjes personin e dyshuar:

 F. F, mashkull, 64 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës .

Në vendin e ngjarjes po ashtu policia ka gjetur dhe konfiskuar:

 një armë zjarri ( revole që dyshohet të jetë përdorur në vendin e ngjarjes)

 një granatë dore ( e pashpërthyer e cila është larguar nga njësiti i specializuar për deminim),

 një elektroshok.

 pesë gëzhoja dhe

 2 fishekë.

Personi i dyshuar është duke u intervistuar nga ana e policisë, ndërkohë që hetuesit policorë krahas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë duke punuar në sqarimin dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin.