Kronikë

Në Prizren e Gjakovë kontrollohen 16 lokale për prostitucion

 

Prishtinë, 16 mars - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në këtë rast njësitet për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore në Prizren dhe Gjakovë së bashku me inspektorët komunalë, me qëllim të luftimit të të gjitha formave të trafikimit me qenie njerëzore, sot, më 16.03.2017, kanë zbatuar planin operativ “MARSI 2017”, i cili ka rezultuar me kontrollin e disa lokacioneve nën dyshimin e bazuar për ‘trafikim me qenie njerëzore’ .

Në Prizren janë kontrolluar gjithsej 15 lokale të cilat gjenden në hapësirat e objekteve biznesore tek tregu i gjelbër, ku janë hasur duke punuar gjithsej 17 punëtore femra (13 shtetase të Shqipërisë dhe 4 shtetase të Kosovës). Prej tyre dymbëdhjetë (12) lokale janë mbyllur me vendim të Inspektoratit Komunal të KK Prizren, për shkak të parregullsive që janë gjetur. Janë konfiskuar 2 dokumente të shtetaseve të Shqipërisë, të cilat dokumente do t’iu dorëzohen zyrtarëve të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj. Në stacion policor është shoqëruar një femër së bashku me një fëmijë 7 muajsh, e cila është hasur duke punuar në njërin nga lokalet e kontrolluara. E njëjta është duke u intervistuar dhe në konsultim me prokurorin e shtetit do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.