Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, bënë finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Këmbyesit”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. D, 41 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, A. Rr, 23 vjeç banues në Mamurras Laç dhe me banim të përkohshëm në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike” dhe N. M, 19 vjeçe banuese në fshatin Dufshan, Njësia Administrative Pishaj, Gramsh, me banim të përkohshëm në Tiranë.
“Arrestimi i tyre, u bë pasi në bashkëpunim me njëri – tjetrin, në pikën Exchange të shtetasit me iniciale N.K, në qytetin e Gramshit, kanë këmbyer 3 kartmonedha, me prerje 100 Euro secila të cilat dyshohet se janë false. Menjëherë me marrjen e informacionit, janë organizuar shërbimet dhe në afërsi të fshatit Gostimë, është ndaluar mjeti tip “Peugeot” me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur. Grupi hetimor, gjatë kontrollit personal, i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11.000 Euro, të dyshuara të falsifikuara”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.
Hetimet vazhdojnë për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Falsifikimi i monedhave, i kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 183/2 i Kodit Penal.