Për 8 muaj në Shqipëri u kap 20 herë më shumë drogë se më 2016

Për 8 muaj në Shqipëri u kap 20 herë më shumë drogë se më 2016

30 August 2017 13:08

Gjatë raportimit në Zyrën Operacionale, zv/ministrja e Punëve të Brendshme, e cila është drejtuese e Task Forcës Antikanabis, Rovena Voda tha se vëmendja është përqendruar në ndjekjen e parave të pista me burim kriminal, në fushën e narkotikëve.

Ajo tha se falë punës sot ka rezultate më të mira në krahasim më vitet e kaluara sa i përket fushës së narkotikëve dhe miliona euro i janë hequr botës së krimit.

“Në fund të një verë të gjatë, të nxehtë, të lodhshme për qindra e mijëra punonjës policie në terren, por edhe dhjetëra forca e institucioneve ligjzbatuese, partnerët përfshirë, e them jo pa krenari, se kemi rezultate të pakrahasueshme dhe sot Shqipëria nuk është më vend origjine për lëndët narkotike. Miliona euro të hequra nga duart e botës së krimit. Në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis, nuk jemi ndalur vetëm tek beteja kundër kanabisit, por po kaq rëndësi po i kushtojmë edhe trafikimit të drogës, si një fenomen që cënon drejtpërdrejt sigurinë në vend. Ndaj, në bazë të detyrave të lëna në 2 mbledhjet e fundit theksojmë se vëmendja është përqendruar edhe në ndjekjen e parave të pista me burim kriminal, në fushën e narkotikëve”, tha Voda.

Ndër të tjera, zv/ministrja e Punëve të Brendshme u shpreh se gjatë muajit gusht policia kishte në terren mbi 1500 grupe kontrolli me rreth 4500 punonjës, në gjithë territorin. Ajo tha se në 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016.

“U hartua një plan i posaçëm operacional nga Policia e Shtetit dhe përgjatë muajit gusht, policia kishte në terren mbi 1500 grupe kontrolli me rreth 4500 punonjës, në gjithë territorin e vendit. Nga referimet e hetimeve pasurore të kryera nga strukturat policore të Hetimit të Aseteve Kriminale janë gjetur dhe identifikuar rreth 50 milion euro, si automjete, vila, apartamente e lokale. Edhe nga 20 raportimet e Guardia di Finanza për parcela të dyshuara, pas fluturimeve me avion, vetëm 5 prej tyre rezultuan me rreth 700 bimë kanabis, ndërsa të tjerat me kultura bujqësore. Në fund të 8 mujorit, shifrat dëshmojnë efikasitetin e luftës që në gjenezë. Nga mbi 57 mijë bimë të asgjësuara, rreth 25% e tyre u shkatërruan që në kubikë, 15% rezultojnë të mbira vetë dhe 10% të tjera në proces tharje nga viti i kaluar. Edhe lufta kundër trafikimit dëshmon shifra mbresëlënëse: në këto 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016. 55 janë grupet kriminale të goditura me mbi 180 persona të proceduar.

Drejtoria e Tatimeve ka referuar mbi 180 raste të dyshimta në Policinë e Shtetit dhe Prokurori që konsistojnë në pasuri të pajustifikuara dhe transaksione pa logjikë ekonomike e ligjore. Për 30 raste janë nxjerrë urdhra bllokimi të llogarive/transaksioneve në vlerë totale rreth 3.7 mln euro.

Janë kryer verifikime për mbi 1070 persona dhe informuar institucionet ligjzbatuese në përgjigje të 129 kërkesave të tyre, në funksion të investigimeve policore apo procedimeve penale. Në këtë kuadër po analizohen 175 raportime për aktivitet të dyshimtë”, tha Rovena Voda.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme